Mentorim mbi Marketingun Digjital dhe Storytelling për Artizanët në Shkodër
Më 5 nëntor 2026, Nucleus Albania do të organizojë në Shkodër një aktivitet mentorimi mbi
marketingun digjital dhe rrëfimin e historisë së biznesit (Business Storytelling), në kuadër të projektit
ARTISAN 4.0, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes Programit Interreg IPA South
Adriatic. Aktiviteti do të bëjë bashkë artizanë, studentë dhe ekspertë, me synim forcimin e aftësive
digjitale, zgjerimin e mundësive të tregut dhe promovimin e trashëgimisë artizanale përmes
teknologjive inovative.
Pas prezantimit të projektit nga Valbona Paluka, Menaxhere e Projektit pranë Nucleus Albania,
eksperti Pandeli Ceco do të zhvillojë sesionin Transformimi Digjital në Sektorin e Artizanatit, duke
trajtuar mundësitë e shitjeve online, platformat e dedikuara për artizanët, tregtinë përmes rrjeteve
sociale, si dhe përdorimin praktik të Inteligjencës Artificiale (AI) dhe teknologjisë së printimit 3D në
bizneset artizanale.
Sesioni i dytë, Storytelling për Bizneset Artizanale, i drejtuar nga Fatjon Biba, ekspert i Marketingut
Digjital dhe Rrjeteve Sociale, dhe Gentian Kurti, ekspert i CVSA për prodhimin e përmbajtjeve foto
dhe video, do të fokusohet në shndërrimin e traditës dhe trashëgimisë artizanale në histori
tërheqëse digjitale, forcimin e identitetit të markës dhe përdorimin e rrjeteve sociale, përmbajtjeve
vizuale të krijuara me AI dhe Realitetit Virtual (VR) për promovimin e produkteve.
Aktiviteti do të përmbyllet me një diskutim interaktiv dhe shkëmbim përvojash, të moderuar nga
Valbona Paluka dhe Pandeli Ceco, ku artizanët do të kenë mundësi të diskutojnë sfidat e tyre, të
marrin këshillim praktik dhe të identifikojnë mundësi bashkëpunimi me studentët për zhvillimin e
zgjidhjeve inovative.
Sugjerimet dhe nevojat e identifikuara gjatë aktivitetit do të kontribuojnë në finalizimin e ARTISAN
4.0 Toolkit (D.2.1.1) dhe në përgatitjen e aktiviteteve të ardhshme të projektit, përfshirë Laboratorët
e Inovacionit dhe hackathon-et.
