Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe fermerët, që zënë peshën më të madhe të bizneseve shqiptare, kanë mungesë njohurish, dijesh dhe përvoje për sa i përket tregjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, konkurrencës si dhe standardeve të produkteve. Ato kanë mangësi të mbështetjes nga institucionet, nga sektori publik dhe privat që është në dispozicion të sipërmarrjeve urbane dhe gjysëm urbane, rurale, në tregjet me ekonomi të themeluar.
Gjatë tranzicionit të sistemit të centralizuar në një ekonomi tregu e lirë, fermerët shqiptarë, u bënë për herë të parë, pronarë të një copë toke, që do t’i ndihmonte për të nisur biznesin e tyre familjar. Përpjekjet disa vjeçare dhe puna e palodhshme në administrimin e një biznesi të tillë familjar, nxorri në pah mungesën e përvojës dhe njohurive. Këtë gjë e mësoi dhe këshilluesja jonë gjatë diskutimeve me bërthamën e serave në fshatin Kosmaç, Shkodër.
Fermerët e Kosmaçit punonin më parë individualisht, duke mbjellë dhe prodhuar perime në bazë të tregtarëve të rastësishëm dhe pa asnjë informacion për tregjet. Ky është rasti dhe për varietetin e domatës së “Izmirit” për të cilin dy vitet e fundit, fermerët nuk gjenin treg. Duke prodhuar në sasi të pakët dhe duke e shitur tek individët ishte i pamundur sigurimi i të ardhurave të mjaftueshme për shkak të çmimit të ulët dhe sasisë së pakët të prodhimit. Për sa u përmend më sipër, ka një mungesë të plotë të njohurive në lidhje me teknologjinë e prodhimit; cilësisë dhe standardeve të sigurisë dhe kërkesës së tregut. Lidhjet direkte me tregjet nuk ekzistojnë.
Në nëntor të vitit 2015, Nucleus Albania mbështetur nga ProSME/GIZ nisi aktivitetet në fshatin Kosmaç,të Shkodrës, me synim krijimin e një “bërthame” grupim fermerësh që bashkëpunojnë në prodhimin e produkteve me cilësi të lartë dhe me vlerë të shtuar. U bënë disa diskutime me fermerët e serave, për të identifikuar problemet e përbashkëta, për të gjetur zgjidhje dhe për të prezantuar dhe sqaruar idenë e punës në grup dhe përfitimet e saj. Pas një sërë përpjekjesh u arrit të krijohej një grup prej 10 anëtarësh.
Vizitat studimore dhe shkëmbimi i eksperiencave janë aktivitete të metodës bërthamë. Bazuar në këtë qasje, kryhen disa lloj aktivitetesh. Turi që u zhvillua pranë ambjenteve të kompanisë “Agrokoni” (kompani e tregëtimit dhe eksportit të inputeve, farërave dhe fidanëve) i mundësoi anëtarëve të bërthamës për të marrë një eksperiencë dhe informacion për varietetet më të kërkuara të perimeve në tregun vendas dhe të huaj. Në vazhdimësi të kësaj, u organizua një vizitë në fshatin Goriçan të Beratit, pionerë në eksportimin e domateve. Tek fermerët e Kosmaçit u prezantuan praktikat bujqësore më të avancuara si “bleta polenizuese” si dhe përdorimi i preparateve biologjike kundër pesticideve dhe sëmundjeve.
Me ta u diskutua rëndësia e praktikave të tilla në prodhimin e produkteve me cilësi të lartë, siguri ushqimore dhe me vlerë të shtuar. Vizitorët patën mundësi të mësonin prej anëtarëve të shoqatës “HORTIGOR” përfitimet e të punuarit së bashku; njësimi i produkteve duke mbjellë dhe rritur të njëjtët kultivar , duke arritur standard në cilësi dhe në siguri ushqimore dhe sigurimi i sasisë që kërkon tregu, e cila nuk mund të arrihet individualisht. Si rezultat, fermerët e serave të Kosmaçit po përdorin polenizimin me bletë për këtë sezon prodhimi.
Të punuarit së bashku do të thotë më shumë mundësi punësimi dhe jetë më e mirë.
Krijimi i frymës në grup; mbështetja me asistencë në grup; diversifikimi i produkteve duke i siguruar mbjelljen e produkteve të reja si “lakra sallatë”; blerja në grup e produkteve bujqësore; gjetja e tregjeve të përbashkëta janë disa nga karakteristikat e bërthamës së serave në Kosmaç.
Falë këtij bashkëpunimi, u bë e mundur lidhja me kompaninë Shqiptare të eksportimit “Agrokoni” me qëllim eksportin e lakrës drejt Lituanisë.
Nucleus Albania, me ndihmën e Ambasadorit Shqiptar në Kosovë mbështeti fermerët në krijimin e bashkëpunimit me kompaninë “ABI ELIF Group” në Prizren/ Kosovë për eksportin e domatës nga fermerët e Kosmaçit drejt kësaj kompanie.